Kontakti Norris-Verstappen, britaniku: Miqësia jonë në rrezik

Lando Norris dhe Max Verstappen ishin autorë të një aksidenti në pistën e Spielberg në Çmimin e Madh të Austrisë. Dyshja pati një kontakt në xhiron e 64 me britanikun e McLaren që provoi të parakalonte holandezin e RedBull. Kontakti rezultoi fatal për Norris që e mbylli aty garën ndërsa Verstappen humbi kryesimin dhe e mbylli garën në vendin e pestë. Pas garës, Norris sulmoi sërish Verstappen duke theksuar se holandezi duhet të kërkonte falje.

“Jam shumë i zhgënjyer, e prisja një betejë të fortë, por prisja që ajo të ishte edhe korrekte. Nuk shkoi kështu dhe për mua është e vështirë ta pranoj. Nuk bëra asnjë gabim, përkundrazi zhvillova një garë të bukur. Në pistë ka një rregull, që nuk duhet të veprosh ndaj lëvizjeve të pilotit që vjen nga pas. Verstappen e bëri këtë tre herë, unë e shmanga në dy raste. Më pas tentova ta parakaloja, por më mbylli hapësirën dhe më shkatërroi garën. U mundova të shmang kontaktin, por nuk kisha më shumë mundësi. Miqësia më Verstappen në rrezik? Nëse ai thotë që nuk ka bërë asnjë gabim, atëherë do të humbasë respektin tim. Nëse e pranon se ka bërë një gabim prej idioti dhe të sillet në mënyrë korrekte, atëherë mund ta vazhdojmë miqësinë”, u shpreh Norris.

sfidanti.al