Kikboks, breza të artë botërorë për Ilda Lelon dhe Edi Shehajn!

Dy tituj të rëndësishëm ne kikboks. Flasim për dy sportistë të njohur të Vlorës dhe të Shqipërisë, Ilda Lelon dhe Edi Shehajn që fituan brezat e artë në Mbrëmjen e Kampionëve në Pallatin e Sportit të Vlorës në disiplinën e kikboksit. Flasim për titujt në atë që quhet Kampionati i Sfidës Botërore, pra një nga brezat botëror në këtë sport. Ilda Lelo ia doli pas pesë raundesh ndaj sportistes turke Aliena Arkik, ndërsa Edi Shehaj mposhti me nokaut sfidantin turk Cerkan Celik. Vajza vlonjate ka mbi 7 vjet që merret me kikboks dhe ka dalë disa herë kampione e Shqipërisë, duke qenë më e njohura në vend, si dhe ka fituar një titull europian.

Shehaj po ashtu është një nga sportistët më të mirë të kësaj disiplinë, mjaft herë kampion kombëtar dhe kampion bote në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Barcelonë disa vjet më parë. Në Mbrëmjen e Kampionëve në Vlorë pati emocione të forta në sfidën e një sporti luftarak si kikboksi, dhe në Pallatin e Sportit ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë, Dritan Leli. Në kampionat morën pjesë kikbokserë nga disa vende të rajonit si Mali i Zi apo Kosova, ndonëse dy ndeshjet më të rëndësishme ishin ato të Lelajt dhe Shehajt. Trajneri i tyre prej shumë vitesh, Alban Alikaj i Klubit Luftarak të kikboksit të Vlorës, vlerëson arritjet e dy kampionëve të tij, dhe beson se Ilda me Edin do të vazhdojnë të fitojnë në të ardhmen.

Sfidanti.al