Boksierja algjeriane Imane Khelif ka deklaruar se është e gatshme t’i nënshtrohet një testi gjinor, nëse ky është kushti për të garuar në Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit 2028, pas polemikave të vazhdueshme që e kanë shoqëruar që nga Olimpiada e Parisit. Khelif, e cila fitoi medaljen e artë në peshat welter për femra në Paris 2024, është përballur vazhdimisht me akuza dhe dyshime mbi të drejtën e saj për të garuar në kategorinë e femrave. Ajo dhe boksierja tajvaneze Lin Yu-ting u skualifikuan nga Kampionati Botëror 2023 nga Shoqata Ndërkombëtare e Boksit (IBA), për shkak të pretendimeve se nuk kaluan testet e përcaktimit të gjinisë.
Megjithatë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), i cili i hoqi njohjen IBA-s në qershor 2023, i lejoi të dyja të garonin në Paris. Në një intervistë për CNN, Khelif theksoi se nuk ka asgjë për të fshehur. “Sigurisht që do të pajtohem me çdo test që kërkohet për të garuar. Duhet të mbrohen gratë, por duke i mbrojtur ato, nuk duhet të dëmtohen gra të tjera,” u shpreh ajo. Më tej, algjeriania ishte e prerë: “Unë nuk jam transgjinore. Jam grua. Dua të jetoj jetën time. Ju lutem, mos më përdorni për agjenda politike”. Çështja mori edhe dimension politik, pasi presidenti amerikan Donald Trump e quajti publikisht Khelifin “boksier burrë”, pas nënshkrimit të një urdhri ekzekutiv kundër pjesëmarrjes së grave transgjinore në sportet e femrave.
Ndërkohë, organi i ri World Boxing, i njohur përkohësisht nga IOC, prezantoi testimin gjenetik të detyrueshëm, duke përmendur fillimisht rastin Khelif, për të cilin më pas kërkoi falje. Khelif ka depozituar një ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport (CAS) kundër këtyre rregullave, ndërsa seanca dëgjimore ende nuk është zhvilluar. Imane Khelif deklaron se do të bëjë testin e gjinisë vetëm për të mos iu mohuar e drejta olimpike.
Sfidanti.al

