Kush mendon që sporti i golfit është më i ri se shumë sporte të tjerë përfshirë edhe futbollin apo basketbollin, gabohet rëndë. Golfi e ka origjinën si sport që në shekullin e 15 në Edinburgh të Skocisë. Aq shumë popullor u bë golfi në Skoci gjatë këtij shekulli, aq sa mbreti Xhejms II u detyrua ta bllokonte pasi ushtarët kishin nisur ta praktikonin në masë duke lënë pas dore madje edhe stërvitjen në prag të betejave të ashpra me ushtrinë angleze.
Më pas në shekullin e 16 loja u masivizua edhe në Angli, Francë e shumë vende të tjera europiane . Fusha e parë profesionale u ndërtua në vitin 1764 në Angli që më pas si një nga perandoritë më të fuqishme të botës, e eksportoi këtë sport në çdo cep të globit. SHBA krijoi shoqatën e parë zyrtare në fund të viteve 1800 ndërsa me industrializimin e botës dhe theksimin e diferencave mes shtresave, golfi anoi gjithmonë e më shumë nga klasa e lartë e shoqërisë edhe pse aktualisht është një sport profesionist ku mund të marrin pjesë të gjithë ata që e konsiderojnë veten të talentuar.
Një shembull i qartë për këtë është kampioni më i madh Tiger Woods, i cili e ka dominuar golfin për shumë dekada me radhë falë talentit të tij duke u bërë edhe një nga sportistët më të pasur të planetit edhe pse e nisi rrugëtimin që nga lagjja e varfër e shtëpisë ku u rrit. Golfi klasik aplikohet në një fushë me 18 gropa që përfaqësojnë një raund ndërsa në një të tillë mund të marrin pjesë deri në 4 garues. Turnetë më të mëdhenj janë The Masters, U.S. Open, Open Championship dhe PGA Championship. Golfi debutoi në olimpiadën 1900 ndërsa pas 112 viteve mungesë u rikthye si disiplinë olimpike në Rio 2016.
sfidanti.al