Për të tretën herë radhazi dhe për të katërtën në shtatë vitet e fundit, Giro d’Italia do të përfundojë në Romë. Por edhe më i veçantë do të jetë edicioni i vitit 2025, pasi etapa e fundit do të nisë nga Qyteti i Vatikanit, në një moment të ngarkuar emocionalisht pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut. Presidenti i RCS Sport, Urbano Cairo, gjatë prezantimit të garës, u ndal pikërisht te rëndësia e kësaj etape:
“Kjo është hera e tretë radhazi që Giro përfundon në Romë, e katërta në shtatë vitet e fundit. Por këtë vit ka diçka më shumë: etapa e fundit do të nisë nga Qyteti i Vatikanit. Është një moment i rëndësishëm dhe i veçantë, sidomos në këtë periudhë pas ndarjes së papritur nga jeta të Papa Françeskut, që na ka prekur të gjithëve në mënyrë të pabesueshme.”
Sipas tij, etapa e 21-të, më 1 qershor, do t’i kushtohet tërësisht Papës së ndjerë:
“Do të jetë një etapë dhe një mbërritje krejtësisht e dedikuar për Papën, i cili ishte një dashamirës i madh i sportit dhe gjithmonë e promovoi atë si një moment përfshirjeje dhe pjesëmarrjeje. Për ne do të jetë një moment shumë emocionues.”
Etapa finale do të jetë një kronometër individual, ndërsa Cairo shtoi:
“Kalimi përmes Vatikanit është një homazh i thellë nga ana jonë. Papa Françesku ishte një Papë jashtëzakonisht i veçantë. Ky do të jetë një turne shumë konkurrues, me disa të rinj shumë të fortë. Besoj se kemi një itinerar që do të na japë emocione të mëdha dhe aspak të parashikueshme.”
sfidanti.al