Festivali i Kajakëve në Valbonë

Sporti i kajakut në lumenjtë e ndryshëm në Shqipëri po tërheq vëmendjen e turistëve vendas e të huaj. Ky sport ujor mblodhi këtë fundjavë një numër të lartë të pasionuarish vendas dhe nga shtete të ndryshme të Evropës, të cilët lundruan me kajak në lumin e Valbonës. Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga Festivali i Kajakëve, që u zhvillua në 26-28 prill në lumin e Valbonës.

“Festivali i Kajakëve në Lumin e Valbonës ka mbledhur rreth 80 pjesëmarrës në Tropojë për 3 ditë 26-28 Prill me pjesëmarrje nga Shqipëria, Kosova, Italia, Bullgaria, Austria dhe Gjermania”, tha Rama.

Përveç pjesëmarrjes në gara sportive me kajakë, ky festival shërben edhe për promovimin e turizmit në Luginën e Valbonës. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit.

 

sfidanti.al