Alpinistja 47-vjeçare, Natalia Nagovitsyna, u përball me një sfidë që pak alpinistë në botë kanë arritur: të ngjitej në pesë majat më të larta të ish-Bashkimit Sovjetik dhe të bëhej “Leopardi i Dëborës”. Pas pushtimit të katër prej tyre, ajo udhëtoi drejt Kirgistanit për të sfiduar majën më të rrezikshme dhe të fundit, Pico Pobeda, me lartësi 7.439 metra dhe reputacion të tmerrshëm.
Më 12 gusht, Natalia arriti në majë, por zbritja u kthye në një grackë fatale. Një rënie e shkaktoi thyerjen e këmbës mbi 7.100 metra lartësi, në një nga zonat më të pamëshirshme të planetit. E izoluar, e paaftë për të ecur dhe e ekspozuar ndaj temperaturave deri në -30 gradë, ajo mbeti e ngujuar në një tendë të vogël, duke pritur shpëtimin që kurrë nuk erdhi. Në ditët pasardhëse, alpinistë të tjerë përpiqeshin ta arrinin për t’i sjellë ushqime dhe ngrohtësi. Italiani Luca Sinigaglia arriti të ngjitej dy herë për ta ndihmuar, por në tentativën e dytë humbi jetën nga edema cerebrale dhe kushtet ekstreme të malit. Sakrifica e tij tregoi egërsinë e situatës: shpëtimi i Natalia-s ishte thuajse i pamundur.
Autoritetet lokale shqyrtuan çdo mundësi, por kushtet ishin katastrofike. Mot i keq, terren i rrezikshëm dhe lartësi ku helikopterët nuk mund të operojnë e bënin çdo evakuim të pamundur. Edhe ekipet që u përpoqën të afrohen me tokë u përballën me aksidente dhe u detyruan të tërhiqen. Për disa ditë qarkulluan pamje nga dronë ku Natalia shihej ende e gjallë, duke bërë shenja nga strehimi i saj improvizuar. Këto pamje ndezën shpresën, sidomos për djalin e saj që nga Rusia kërkonte të mos ndërpritej operacioni. Por, me kalimin e ditëve pa përgjigje, fundi dukej i pashmangshëm. Pas dy javësh përpjekjesh të dështuara, operacioni i shpëtimit u ndërpre. Konkluzioni ishte i ashpër, por realist: në atë lartësi, me një frakturë që e bënte të paaftë dhe pa mundësi ndihme, Natalia nuk kishte shanse të mbijetonte. Ajo konsiderohet thuajse e vdekur, e ngujuar në malet që ëndërronte të pushtonte dhe që u bënë varri i saj i ngrirë.
Pico Pobeda, besnik reputacionit të saj, riktheu tregimin pse është një nga vendet më të rrezikshme për alpinistët. Historia e Natalias do të mbetet një nga më të trishtueshmet e viteve të fundit: një grua që arriti majën, por nuk mundi të kthehej.
sfidanti.al