Ishte një ditë krejt e veçantë për Euroligën, garën kryesore europiane të klubeve në basketboll. Në Beograd, Barcelonë dhe Stamboll u luajtën ndeshje me emocione të mëdha, dhe rezultate të ndryshme. Në Arenën “Aleksandar Nikoliç” (ish-Pionir), Crvena Zvezda vendase arriti një fitore të madhe ndaj nënkampiones së Europës, Fenerbahçes së Stambollit. Përballja ishte e shkëlqyer dhe përfundoi 75-73 pas koshit të shënuar nga Xhenkins për vendasit, dhe bllokimit të gjuajtjes së Ekpe Udohut nga ana e Ognjen Kuzmiçit. Zvezda synon të imitojë Partizanin e Beogradit që e fitoi Euroligën në 1992 dhe që arriri në fazën finale në 2009, madje pati një fitore “të ëmbël” ndaj trajnerit të Fenerit, Zheljko Obradoviç, ish-trajner i rivalit të madh beogradas, Partizanit. Ishte suksesi i katërt radhazi për bardhekuqtë që kanë bilancin 9 fitore e 8 humbje (Feneri, 10-7).
Në “Palau Blaugrana”, Olimpiakosi arriti fitoren e rëndësishme ndaj Barcelonës vendase, edhe pse luajti pa Vasilis Spanulisin. Rezultati 69-67 dhe skuadra greke tani është në vendin e dytë në renditje me 12 fitore e vetëm 5 humbje. Jorgos Princezis shënoi 16 pikë dhe kapi 9 topa në tabela për miqtë që arritën suksesin e tretë radhazi.
Në Stamboll, Darushafaka fitoi ndaj Baskonias së Spanjës, 98-89 duke vendosur një rekord të shënimit të tripikëshave në Euroligë. Uilbekin dhe Uanamejkër shënuan 4 kosha nga 4 që provuan, ndërsa Bertans shënoi 3 nga 4, me Darushafakanë që pati 14 gjuajtje të tilla të suksesshme dhe 63.6 për qind të realizimit.
Së fund, rusët e Uniks Kazanjit realizuan një përmbysje për 15 minuta, duke kaluar nga -12 pikë në suksesin 63-58 ndaj Broze Basketit të Gjermanisë. Ndeshja u luajt në Arenën e Kazanjit, me amerikanin Langford që ishte më i miri me 27 pikë, 10 topa në tabela dhe 5 asistë.