Alafilip, Turi i Francës shpreson të ketë gjetur Bernar Hinonë e ri

Ka 34 vjet që kombi krenar po e pret një kampion. Asnjë çiklist vendas nuk ka fituar në Turin e Francës që nga viti 1985, kur për herë të fundit ia doli legjenda Bernar Hino, por duket se ditët e këqija po mbeten pas. Një yll I ri francez po lind, ky është Zhylian Alafilip, I cili dha një tjetër provë se mund të quhet favorit për triumfin përfundimtar.

Ai fitoi etapën e 13-të, kronometrin individual, duke treguar se nuk është I zoti vetëm në terren fushor apo në malore, por edhe në sfidën e vetmuar me kohën. Një kampion I madh duhet të jetë pikërisht I tillë. Alafilip la pas me 14 sekonda britanikun Xhereint Tomas, pretendentin e madh dhe fituesin e Turit vitin e kaluar, dhe tani epërsia e francezit është plot 1’26”. Ende jo një diferencë vendimtare, ndërsa provat e vështira do të vazhdojnë të jenë në malet e Pirenejme dhe të Alpeve.

Alafilip nuk është ndonjë talent I ri që shpërthen papritur dhe që mund të bëjë epokë. Ai është 27 vjeç, por gjithsesi nëse nis të fitojë, ka shanse të dominojë për shumë kohë. Prova e tij e parë e madhe do të jetë etapa e radhës, ajo e 14-ta, tepër e fortë në Pirenej, ku çiklistët do të kalojnë edhe në ngjitjen legjendare të Turmajesë.

Sfidanti.al