Përpara 1 muaji, Tiger Woods u vu në qendër të vëmendjes së të gjitha mediave sportive e jo vetëm, për arrestimin e tij pasi u gjend në timonin e makinës së tij nën efektin e medikamenteve. Vetë golfisti pranoi se kishte marrë ilace të ndryshme që ndërvepruan me njëra-tjetrën pa e kuptuar ai vetë. Kjo bëri që Tiger Woods të kërkojë ndihmën e specialistëve për të administruar më mirë konsumimin e medikamenteve të cilat i merr për shkak të dhimbjes në shpinë, gjë që sportisti e konfirmoi nëpërmjet rrjeteve sociale. ‘Po marr ndihmën profesionale për të menaxhuar konsumimin e medikamenteve në mënyrë që të lehtësoj dhimbjet në shpinë dhe të përmirësoj regjimin e gjumit-tha Woods. Tiger Woods ka fituar 14 turne madhorë në golf në karrierën e tij duke u renditur i dyti pas Jack Nicklaus. Por kohët e fundit ai është parë të marrë pjesë në shumë pak aktivitete të kësaj disipline sportive për shkak të shumë ndërhyrjeve kirurgjikale që ai ka kryer në shpinë.
sfidanti.al