Përdhosja e sportit

Është ë çuditshme se sa të zot jemi për të shkatërruar edhe atë pak gjë  të bukur që arrijmë të bëjmë. Duket sikur “sporti” yne kombëtar nuk është futbolli por shkatërrimi, përdhosja. E njerëzve, e objekteve e vlerave.

Ndeshja mes Partizanit e Skënderbeut është një tjetër vërtetim i kësaj.

Një lojë  e bukur, një stadium i bukur, një ngjarje e bukur sportive nuk e di se përse duhej shkatërruar me duart tona, bile më  tepër se me duar, me shkopinj gome apo sprajt gazlotsjellës apo duke shkulur stola.

Nuk dimë të mbajmë në mëndje lojën, veprimet e futbollistëve në fushë spektaklin e bukur. Duhet patjetër ta zëvëndësojme me skafandra e shkopinj gome, me fushën e mbushur me stola të shkulur,  me djem të gjakosur e  vajza pa ndjenja, me panik e gjak të ngrirë për jetën e njerëzve që shkojnë për futboll e kthehen nga “lufta”.

Nuk ka rëndësi se si ta shpjegojnë “aktorët” këtë shfaqje të shëmtuar. Njëra palë, sado të mundohet nuk e justifikon dot drurin në “shtëpinë” e tjetrit, dhe po me këtë llogjikë, nuk mund të shpjegohet shkatërrimi i “shtëpisë” për inat të dhunës së pësuar.

Në Elbasan nuk u  përdorën shkopinjtë e gomës gabim apo u shkatërruan disa stola. Kjo patjetër ndodhi.

Por, më shumë se kaq, në Elbasan, dje, u tregua edhe një herë se kultura e së bukurës, e bashkëjetesës, e mirkuptimit, e të vleresuarit  të tifozerisë jo si rrezik por si vlerë është akoma larg nga ne.

Në këtë rast faji nuk është qyrk që nuk e vesh njeri.

Në Elbasan, dje, faji është një vello e madhe e zezë, që mbuloi jo vetëm stadiumin por gjithë futbollin shqiptar. Për mua nuk ka shumë rëndësi të gjejmë fajtorin konkret. Ka shumë më tepër rëndësi të gjejmë pjesën e vellos se fajit që na përket sejcilit dhe të merremi me të.

Jo ta harrojmë nesër, deri  në përdhosjen  e rradhës së tempullit të sportit.

Artan Shyti