Gafë spektakolare apo delir pa kufi? Ftesa për pjesëmarrje në projektin e FSHF-së “Uniforma ime” do të mbahet mend sa të mbijetoj edhe vetë futbolli ynë i lodhur. Presidenti Duka ishte i pari në listë, kurse kryeministri Rama ishte i dyti, pastaj vinin të tjeret. Sapo e shikoje ftesën (që u bë antiftesë, ngaqë Rama nuk vuri këmbë), pyetja u bë akute :
Si ka mundësi kryeministri i vendit të jetë pas presidentit të FSHF-së? Dhe kur? Tamam ditën që FSHF do të vishte fëmijët e futbollit me “rroba të reja” të cilat do të kushtokan afro 2 milion euro! Kur zyrat e futbollit kanë kapur shifrën 15 million euro, le të gëzojnë edhe fëmijët me “milionat” që u premtojnë burrat. Një shifër e majme që ka vend për të gëzuar të vegjël dhe të ..mëdhenj!
Le të kthehemi tek ftesa e autogolit të FSHF-së, apo mund të jetë e golit ndaj shefit të madh!
Presidentin Duka, që vuan nga sindromi i vetvlerësimit të tepruar, e kishte marrë malli për ta parë njëherë të vetme Ramën të dytin në garën e tyre të ..pushtetit maraton.
Dhe s’ka faj! . U bënë shumë vite që loja e shefave e kishte lodhur me përulje dhe me buzëqeshje të fabrikuar prej fëmije, dhe ja ku mbërriti dita fatlume, kur klasifikimi i shefave u përmbys. Njeriu që kryeson partinë e futbollit, përmbi njeriun që komandon Partinë e madhe. Dhe kur ndodhi, tamam në ditën e “fëmijëve të veshur” në futbollin e zhveshur prej dy dekadash…
Sfidanti.al