Për herë të dytë në Europian na dërgoi një trajner i huaj, lojtarë të rritur në tokë të huaj dhe tifozë me shumë grintë të cilët në shumicë i kemi “importuar” nga jashtë kufijve zyrtarë për të na karikuar djemtë që në fushë kanë dhënë shpirtin dhe kanë treguar se janë jo rastësisht të rreshtuar mes skuadrave elitare të kontinentit në klubet ku luajnë. Thënë kjo, Kombëtarja e Shqipërisë është një prodhim i jashtëm por me një njeri në krye që ka një meritë të madhe, Sylvinhon e sambas që gjeti formulën dhe e kuptoi se klasi i djemve kuqezi mund të dilte në sipërfaqe vetëm me grintën dhe dashurinë që ai tregoi për këtë fanellë, Shqipërinë si vend dhe njerëzit e saj.
Sot kjo skuadër është në opzitë të plotë me atë që po ndodh në paskuintat e jetës sociale, politike, ekonomike, futbollistike dhe sportive. Në një kohë kur në Shqipëri vendos ligji dhe logjika e më të fortit, skuadra kuqezi e drejtuar nga Sylvinho u jep të gjithëve një shembull përulësie e madje edhe njeriut që krenohet se është “babai i saj”, Armand Duka. I pari për t’i rënë gjoksit dhe për fotot e rastit e madje edhe në posterin zyrtar të Gjermani 2024 (ku nuk ka asnjë lidhje logjike), Duka po merr të gjitha meritat edhe pse djersën në fushë e kanë derdhur djemtë kuqezi, të cilët, një Zot e di, se sa djersë kanë derdhur për të ardhur këtu ku janë sot. Kjo Kombëtare nuk është aspak refleksion i futbollit që kemi ndërtuar, kjo është një skuadër “e huaj” por në çdo rast…kuqezi.
sfidanti.al