Fjalët e ish-trajnerit Shkëlqim Muça të Skënderbeut mund të mbërrijnë të hidhura në Korçë, madje edhe shpuese, por nuk mund të thuash se janë të pavërteta. “ Kam qënë i bindur se Skënderbeu do të dënohej, duke u bazuar në gjërat që kam lexuar në raportin e inspektorëve. Hetimi është i thellë dhe i shtrirë në kohë”. Kjo fraza e fundit tingëllon e dëgjuar, mjaft e njohur, tejet e urryer në Korçë, pasi për herë të parë u artikulua nga ish-prokurori suprem, Arben Rakipi, i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”. Kur e thotë Muça është ndryshe, një nga trajnerët që provoi qiellin e shtatë me Skënderbeun, madje në një lloj kuptimi, një trajner që mbahet mend edhe për një festim qiellor pas një goli tokesor. Jo, jo, mos thoni se e keni harruar! Ishte diçka ‘speciale”. Skënderbeu i shënoi gol Tiranës, ish- ekipit ku Muça lindi , kurse trajneri e harroi nga harbimi, “fluturoi” nga poshtë lart në tribunë për të festuar vipash, duke prekur dorën e ..”zotit”të klubit.
Qysh atëhere, kanë kaluar shumë kohë dhe “zotat” që përuleshin para ‘bustit’ të Skënderbeut me zemër në dorë, kanë filluar ritualin e njohur, 24 karatesh shqiptar, .. atë të braktisjes nga i ..denuari!. Muça, një nga futbollistët më vizionarë në kohën pa kohë të lojës sonë, mund të qortohet akoma për gjestin “pa vizion” , veç meriton të degjohet si një “orakull” kur godet kambanën e alarmit moral: “ Tani do të shohim se cilët e kanë dashur me të vërtetë Skënderbeun”. Një ekip me histori të shkurtër, tepër posesive, por edhe komplekese nga trazimi moral që prekte zemren e lojës. Të asaj loje, te bukur në stil , të pagëzuar si e vetmja gjeometri në “shkollën” tonë të varfër e të marrë peng , por që s’ka si t’i shpëtojë zakonit shqiptar..gjërat e bukura ndërtohen për t’u keqperdorur dhe për t’u..flakur. Tani na duhet të mbarsemi me një dozë të madhe idiotësie që të besojmë se FSHF-ja, “nëna bastarde e klubeve”, na thote me ze te ulet se kjo UEFA seç ka një inat të madh me klubet shqiptare. Të paktën t’i themi faleminderit, ishalla nuk ngjitet deri lart tek shqiponjat kuqezi….
Sfidanti.al