Dreka që ndryshoi “historinë”,  Xhani, pse nuk ike pa provuar çorbën!

Kishte dy pasaporta, na u bënë dy De Biazë. Njëri që shpërthen dhe rebelon me akuza të forta për eprorët e tij, fill pas kthimit nga Izraeli, dhe tjetri, që përgënjeshtron të parin,  ende pa rënë tokë akuzat,  duke lëshuar nga goja mjaltë dhe sheqer , nga sytë lotë.. përmallimi. O Zot, meqë na ndihmove në Tokën e Shenjtë, me një fitore që nuk e prisnim, ku  bujarinë izraelite në lojë e kemi të ndaluar ta permendim, të paktën na ndihmo të kuptojmë sjelljen  pa sens të njeriut tonë më të dashur në stol.  Pse nuk e  dëgjuam prapë shprehjen, edhe në ditën e largimit  se “ ndokush ishte bërë gati të bënte festë nëse do të dështoja në Izrael”. Ku shkoi ajo fraza shqiptare e dalë nga goja italiane se “ u mbeti kocka në grykë pas kësaj fitoreje”?  De Biazi iku dhe i mori me vete, edhe pse na i kishte dhuruar para ikjes si gjënë më të shenjtë morale. Nuk e dinte as vetë, se të nesërmen, do na qortonte pa na puthur akoma se“  Ju kanë bërë veshët, sepse unë dhe presidenti kemi raporte të shkëlqyera”.  Bile, mu në ditën e fundit, në një drekë me çorbë, aq shumë kanë depërtuar në zemër te njëri- tjetrit, sa edhe lamtumira nuk qënka largim, veç një dashuri që rritet në distancë. Në daç besoni, në daç hidhini në kazan,  fjalët e shefit  kanë qënë të padëgjuara  edhe në dashuritë  më banale: “ Tani, edhe pse të ndarë,  mund të duhemi edhe më shumë…”

Sa më shumë do ta donim De Biazin, sikur të kishte kapërcyer detin pa e provuar çorbën në drekën e  famshme. Atje ku gëlltit një lugë çorbë dhe nuk e harron për gjithë karrierën. Një ushtri e  madhe me kureshtarë , që ëndërronin që trajneri dhe presidenti të bënin një ndarje pa hipokrizi, një ndarje si burra që nuk e kanë dashur kurrë njëri-tjetrin, pyesin gati pa frymë:  mos vallë i kanë hedhur ndonjë ilaç në pjatë trajnerit, nga ai që shton lumturinë dhe ta largon njëherë e përgjithnjë mëkatin?  Gojët e liga nuk ndalen, sidomos kur rasti është i artë, por rrefejnë  se atë drekë ka dalë nga “kuzhina”  një pjatë e paparë, e pashijuar ndonjëherë nga dyshja në sebepe me ushqim, e cila quhet me përkëdheli “  patëllxhani i Armenisë”…

Sfidanti.al