Yamal i pakënaqur me Flick

Lamine Yamal nuk e fshehu fare zhgënjimin e tij në momentin kur u zëvendësua ndaj Frankfurtit, pavarësisht se Barcelona po e kontrollonte ndeshjen dhe rezultati ishte i sigurt.

Trajneri Hansi Flick konfirmoi pas ndeshjes se i riu 18-vjeçar ishte dukshëm i mërzitur me vendimin.

“Lamine ishte pak i zhgënjyer me zëvendësimin e tij, por ai mori një karton të verdhë dhe ne kishim nevojë për lojtarë të freskët”, shpjegoi ai, duke theksuar se gjithçka ishte thjesht një vendim taktik dhe parandalues.

“Lamine është i tillë. Është i ri dhe mendoj se sjellja e tij është e mirë, është mirë që reagon kështu kur largohesh. Nuk është problem”, tha tekniku i katalanasve.

Yamal, i cili asistoi për golin vendimtar të Jules Kounde, reagoi me nervozizëm teksa u largua nga fusha për t’i lënë vendin Roony Bardghjit.

Megjithatë, Flick insistoi se zëvendësimi ishte i duhuri për të ruajtur rezultatin dhe për të mbrojtur talentin e tij më të ndritshëm nga rreziku i një kartoni të dytë.