Vili Orban humb ndeshjen e Bundesligës për të ndihmuar një pacient!

Është një nga më të mirët e kampionatit, dhe nga ata që nuk mungon kurrë. Gjithsesi, Vili Orban, kapiteni i Lajpcigut, nuk do të jetë fundjavën e ardhshme në sfidën tepër të rëndësishme të Bundesligës gjermane ndaj Unionit të Berlinit. Arsyeja e mungesës për mbrojtësin që nuk ka humbur asnjë minutë deri tani këtë sezon është se ai do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje për t’i dhuruar qeliza një pacienti të cilit i rrezikohet jeta. Nuk jepet më shumë hollësi se për cilin pacient është fjala, por qelizat e Orbanit do të ndihmojnë që të sëmurit t’i zëvendësohen qelizat e dëmtuara të gjakut, e ndoshta flitet për sëmundje si leuçemia.

Orban ka luajtur të 19 ndeshjet për Lajpcigun këtë sezon, duke shënuar madje 3 gola edhe pse është mbrojtës. Falë edhe kontributit të tij prej mbi 1700 minutash në fushë, skuadra nga Lindja e Gjermanisë ka realizuar një rikuperim të vërtetë këtë edicion duke u ngjitur në vendin e katërt në renditje, që pas emërimit të Marko Rozes si trajner. Lajpcigu ka 36 pikë, vetëm 4 më pak se Bajerni kryesues, dhe shanset janë që të luftohet edhe për titullin, por gjithsesi mund të realizohet objektivi kryesor, kualifikimi në Champions për vitin e ardhshëm.

Sfidanti.al