Shkëlqeu në fushën e lojës, punoi edhe si trajner duke arritur suksese, ndërsa si drejtues vazhdoi për një kohë të gjatë. Shkodra dhe gjithë Shqipëria mban zi për Ramazan Rragamin, njërin nga yjet e futbollit kuqezi që u shua në moshën jo edhe aq të shtyrë, 77-vjeçare. Rragami ishte mesfushor që luajti për Vllazninë, pastaj Partizanin, si dhe sërish me shkodranët bashkë me lojtarë të tillë si Medin Zhega dhe Sabah Bizi. Si lojtar fitoi titullin kampion në 1972 e 1974, ndërsa si trajner ia doli në 1983. Si ndihmëstrajner i Shqipërisë U21 (Shpresat), ai ndihmoi në kualifikimin për në çerekfinalet e Kampionatit Europian në 1984. Rragami luajti 20 ndeshje dhe shënoi 1 gol për kombëtaren e Shqipërisë, në fitoren ndaj Finlandës, diçka jo e vogël për periudhën kur zhvilloheshin shumë më pak sfida se sot, dhe kuqezinjtë aktivizoheshin më shumë në duele miqësore. Ai ishte protagonist në barazimin 0-0 me RFGJ-në në “Qemal Stafa” në 1967, kur gjermanët u eleminuan nga Europiani.
Sfidanti.al