San Marino me medalje olimpike? Edhe shteti i vogël ka ministri sportesh!

Në Shqipëri, ky institucion është harruar e groposur me kohë. Që nga qeveria e parë e Partisë Demokratike, ku në sport ishin minister Marjeta Zaçe, dhe drejtues i lartë ishte Vejsel Rizvanolli, gjithçka ka bërë prapa, pavarësisht britmave të politikës, madje edhe ajo dikur ka qenë e veshur me uniformë sportive. Ky deinstitucionalizim i sportit në vendin tonë, m’u kujtua ndërsa San Marino festoi fitimin e medaljes së parë olimpike në histori, në garën e qitjes ndaj pjatës, me sportisten tashmë të shquar Alesandra Perili.

Një shtet me vetëm 34 000 banorë ia doli të bëjë atë që Shqipëria nuk po e bën dot, pavarësisht se peshëngritësit tanë “lanë kockat” duke ngritur shtanga nga mëngjesi deri në darkë. Tifozët ndoshta nuk e kuptojnë lehtë, nëse nuk ia sqaron, pra që suksesi sportiv varet shumë nga “prapavija” që ka sportisti, në këtë rast Calja, Qerimaj apo Begaj, apo Alesandra Perili e San Marinos. Në shtetin e saj, sekretari i sportit (ministri) është Teodoro Lonfernini. Perili ishte numri 1 i botës në sportin e saj prej kohësh, gjë që tregon për një punë në thellësi, me mbështetje institucionale, financiare, infrastrukturore, sportive. Medalja olimpike nuk është rastësi.

Sfidanti.al