Mirlind Daku, Dardan Shabanhaxhaj dhe Veldin Hoxha janë shqiptarët që, kush më shumë e kush më pak, kanë qenë protagonistë për ekipin e qytetit të Kazanit. Daku luan për Shqipërinë, Shabanhaxhaj aktualisht për Austrinë dhe Hoxha për Kroacinë U21. Natyrisht, më i njohuri prej tyre është sulmuesi kuqezi, i cili madje është më i miri lojtar i kampionatit rus për kontributin për golat në 2024. Sidoqoftë, edhe dy të tjerët kanë kontribut të rëndësishëm, ndonëse janë shumë më të rinj. Shabanhaxhaj ka 3 gola dhe 2 asistë në Premier Ligë dhe në Kupën e Rusisë, ndërsa Hoxha ka dy rrjeta në kampionat. Klubi rus ka paguar gjithsej rreth 5.4 milionë euro për tre futbollistët. Mirlind Daku kushtoi 1.2 milionë kur u mor nga Osijeku i Kroacisë, Shabanhaxhajt i vlejti po kaq kartoni, 1.2 milionë euro, ndërsa u mor nga klubi slloven i Murës. Është për t’u habitur që më shumë se të gjithë Rubinit i kushtoi Veldin Hoxha. Mesfushori i ri 21-vjeçar luante për Rijekën në Ligën e Parë të Kroacisë, dhe klubi rus pranoi të paguante në total 3 milionë euro, të paktën sipas asaj që shkruan e përditshmja e Zagrebit, “Jutarnji List”. Edhe rroga e Hoxhës, sipas gazetës kroate, arrin në 900 000 euro në sezon, plus shpërblimet për arritje personale dhe ekipore.
sfidanti.al