Napolit i rikthehet Amir Rrahmani

Pas një periudhe të vështirë jashtë fushave, Amir Rrahmani është gati të rikthehet si titullar për Napolin, duke i dhënë fund një mungese prej afro dy muajsh për shkak të lëndimit. Qendërmbrojtësi i Kosovës u dëmtua më 15 shkurt në përballjen ndaj Romës, duke humbur shtatë ndeshje radhazi. Ai u grumbullua në sfidën e fundit kundër Lazios, por nuk mori minuta, edhe pse ishte pranë aktivizimit.

Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, Rrahmani pritet të rikthehet menjëherë në formacionin titullar në ndeshjen e së premtes ndaj Cremoneses. Ky sezon ka qenë i vështirë për 32-vjeçarin, i cili ka pësuar disa lëndime. Përveç dëmtimit të fundit, ai kishte munguar edhe më herët në janar për disa ndeshje, ndërsa lëndimi më i rëndë erdhi në shtator gjatë ndeshjes së Kosovës me Zvicrën në Basel, ku mungoi për 11 takime. Rikthimi i Rrahmanit konsiderohet një përforcim i madh për Napolin në këtë fazë të sezonit, sidomos për stabilitetin në repartin difensiv.

sfidanti.al