Ditët e fundit FSHF ka prezantuar imazhin e ri të Kombëtares, maskotën e quajtur Alban që sipas vetë institucionit, u pagëzua me këtë emër nga tifozët e “shumtë” që votuan në shumicë për këtë emër. Gjithsesi, përtej emrit, Albani tashmë mund të konsiderohet i fundit i armatës kuqezi në federatë të cilët mendojnë natë e ditë për hallet e Kombëtares dhe ekipeve zinxhir. Ndoshta mund të jetë një ogur i mirë Albani në këtë situatë ku pjesa dërrmuese e ekipeve kombëtare po dështojnë dhe tashmë nuk ka me një “diell verbues” si Kombëtarja e parë për të penguar njerëzit të shikojnë përtej futbollit kuqezi ku toka është shkretuar.
Albani ka në dorë të karikojë masat dhe entuziazmojë njerëzit për disa minuta para e në pushim të ndeshjeve, por ata që zbresin në fushën e gjelbër kanë në dorë fatet e ndeshjeve dhe të imazhit të futbollit shqiptar që në fund të ditës duhet të matet me rezultate. Kombëtarja e madhe si “lokomotivë” e këtij “treni” ka dështuar me sukses në misionin Nations League, ndërsa ekipet e moshave nuk po shkëlqejnë siç pretendojmë nga këto anë dhe në këtë situatë, Albani është lajmi i vërtetë i ditëve të vështira kuqezi dhe ndoshta maska pas së cilës fshihen dështimet që na ka dhuruar sporti më i dashur në vend.
Nga Pirro Bardhyli