István Kovács, arbitri i finales së Champions mes PSG-së dhe Interit

Finalja e Ligës së Kampionëve 2025 mes PSG-së dhe Interit do të gjykohet nga István Kovács, një emër gjithnjë e më i pranishëm në ndeshjet më të rëndësishme të futbollit europian. Me një karrierë në rritje të vazhdueshme në skenën ndërkombëtare, gjyqtari rumun përmbyll kështu një ‘tripletë’ finalesh: pas Conference League në vitin 2022 dhe Europa League në 2024, vjen kulmi me Champions League në 2025.

Kovács, i cili punon si profesor i edukimit fizik në Rumani, është arbitër ndërkombëtar që nga viti 2007 dhe konsiderohet prej kohësh si një nga më të mirët në kampionatin rumun. Prej vitit 2019, ai është pjesë e kategorisë “elite” të UEFA-s dhe FIFA-s, një status që u përforcua me përformanca të besueshme në arenën europiane.

Nga Conference te Champions

Rrugëtimi i tij drejt kulmit nisi me finalen e UEFA Conference League, vazhdoi me atë të Europa League dhe arrin pikën më të lartë me finalen e Champions League në Mynih, një nder që pak gjyqtarë e kanë përjetuar. Në nivel europian, një nga momentet më të spikatura ishte gjykimi i ndeshjes epike Manchester City – Real Madrid (4-3) në gjysmëfinalen e Champions në vitin 2023, në ‘Etihad Stadium’.

Edhe pse ishte pjesë e Botërorit 2022, Kovács nuk pati mundësinë të gjykonte ndonjë ndeshje, por ka qenë prezent në Botërorin për Klube dhe Kupën Arabe. Tashmë, ai do të jetë nën dritat e mëdha të Mynihut për të drejtuar ndeshjen më të rëndësishme të sezonit europian. Me një profil të qetë, autoritar dhe teknikisht i saktë, István Kovács është gati të vendosë standardin më të lartë të drejtësisë në një natë që mund të hyjë në histori për PSG-në ose Interin.

sfidanti.al