Nuk mund të mos i përgëzonte lojtarët e tij pas derbit të Gjermanisë, por as nuk mund të bënte sikur nuk kishte asnjë problem. Bajerni triumfoi 4-2 ndaj Dortmundit në Bundesligë, dhe trajneri Hansi Flik pati kënaqësinë e një fitoreje që do të mbetet vërtet në histori, por edhe pikëpyetjet për sëmundjen që po i shfaqet ekipit thuajse çdo herë. U desh që Dortmundi të kalonte 2-0 në avantazh që vendasit të reagonin. “Tashmë është bërë rrugë, – tha ai, – nëse kundërshtari ka një rast, ne ndëshkohemi. Ne e shkundëm veten pas shifrave 0-2, ne treguam se nuk lejojmë të humbasim asgjë, në asnjë rrethanë, dhe fitorja në fund ishte e merituar sepse ne dominuam për 60 minuta. Gjithsesi, duhet të themi se skuadra u zgjua pas 2-0, dhe vetëm kështu hymë në lojë”.
Bajerni pati epërsi duke mbajtur topin 64 për qind, duke pasur goditjet nga këndi 6-0, numrin e gjuajtjeve 27-4 dhe sasinë e pasimeve 673-361. Një sundim i plotë i ndeshjes dhe një rezultat logjik, edhe pse sërish pësoi gola, madje dy. Si rrallë herë, bavarezët kanë marrë 34 gola në 24 ndeshje, shumë më tepër sesa Lajpcigu, Volfsburgu, Leverkuseni, Unioni i Berlinit, madje edhe sesa Verderi apo Frankfurti! Trajneri i Dortmundit, Terziç, pohoi faktin e kryer se “ne e nisëm shumë mirë, por e përfunduam shumë keq”. “Në mes të këtyre dy momenteve pati një periudhë kur Bajerni ishte nën trysni të madhe, – u shpreh ai, – ne nuk bëmë presionin e duhur ndaj topit. Ne nuk ditëm të shmangnim presingun e kundërshtarit”.
Sfidanti.al