Është klubi i kryeministri hungarez, Orban, që jep 1 milionë euro për Latifin!

Përfundimisht do të largohet, dihet edhe se ku. Skënderbeu do të mbetet pa Liridon Latifin, talentin më të madh të tanishëm në Superligën shqiptare, i cili do ta vazhdojë karrierën jashtë vendit, menjëherë pas aventurës në Ligën e Europës. Lojtari 23-vjeçar i krahut do të luajë në Hungari, në elitën e futbollit të këtij vendi, në një klub me histori të shkurtër, por me një emër të madh.

Akademia Ferenc Pushkash pritet të japë për kartonin e Latifit shumë herë më pak sesa dha Paris SG për Nejmarin, por 1 milionë euro janë një shifër e jashtëzakonshme për një klub shqiptar. Një tjetër “bingo” e Skënderbeut pas atyre me Peter Olajinkën dhe Bernard Berishën.

Çfarë është Akademia Ferenc Pushkash, shpejt shtëpia e re e djalit nga Prishtina? Themeluar 10 vjet më parë, është ende një skuadër jo shumë e fortë futbolli, por një nga akademitë më të mëdha në Europë. Akademia Pushkash i ngjan pak Partizanit e Dinamos në Shqipërinë e përpara 1990-ës, pasi ashtu si klubet tona, është dashuria e kryeministrit të fuqishëm të Hungarisë, Viktor Orban.

Latifi shkon pra në atë që quhet akademia që do të ringjallë futbollin hungarez, ashtu si në kohën magjike të Pushkashit. Ai do të jetë në ekipin e vendit të fundit sot për sot në kampionat, por që ka ambicie të jashtëzakonshmë. Skënderbeu, ndërkaq, do të duhet të gjejë shpejt një zëvendësues për 23-vjeçarin, pasi largimi i tij do të krijojë një boshësi të madhe, aq më tepër me Partizanin e Kukësin që po përforcohen.

Sfidanti.al