Çmenduria e Sitit ndaj Uolvesit, i jep titullin Liverpulit!

Në histori do të hyjë si një nga ndeshjet më të padëgjuara të Premier Ligës. Teknologjia VAR luajti rol të madh, por po ashtu një rezultat që nuk deshi të qetësohej, dhe që shkoi fillimisht bindshëm në favor të miqve, dhe më pas përfundimisht si fitore e vendasve. Uolverhempton Uonderers u kthye sado pak në epokën e tij të dikurshme të lavdisë, duke përmbysur shifrat e duke arritur një fitore mbresëlënëse, 3-2, ndaj kampiones Mançester Siti. U luajt një çmenduri në stadiumin “Molino” (“Molineaux”), me skuadrën e Pep Guardiolës që mbeti me 10 vetë që nga minuta e 11-të, por që u duk se nuk e ndjeu aspak.

Gjyqtari dha 11-metërsh për kampionët, falë ndërhyrjes së VAR-it (që ishte e saktë), por portieri portugez, Rui Patrisio, e ndaloi gjuajtjen e Rahim Stërlingut. Sërish ndërhyri VAR-i, duke vendosur përsëritjen e gjuajtjes, dhe sërish Rui Patriosio grushtoi, por topi shkoi përsëri tek Stërlingu që e dërgoi në rrjetë. Në minutën e 50-të, Siti u duk se futi fitoren në xhep kur shënoi golin e dytë gjithashtu me Stërlingun, veçse spektakli ishte larg nga përfundimi.

Uolvesi, një skuadër vërtet e fortë në Premier Ligë dhe në Ligën e Europës, mori shpërblimin e merituar të përpjekjeve të tij të pandalshme, dhe ritmi i lojës së vendasve solli lodhjen e kampionëve. Adama Traore shkurtoi shifrat në 55’, ndërsa në 8 minutat e fundit ndodhi mrekullia. Në 82’, Raul Himenez barazoi, ndërsa në të 89-ët, Metju Doherti shënoi golin e fitores. Mançester Siti mbetet 14 pikë prapa Liverpulit, me skuadrën e Jurgen Klopit që ka një ndeshje më pak. Liverpuli ka 52 pikë, Leister 39 e Siti 38.

Sfidanti.al