Barcelona nuk ka hequr dorë nga objektivi për të transferuar Rodrin dhe pritet të bëjë një tjetër përpjekje për të bindur Manchester City-n. Sipas The Times, klubi katalanas po përgatit një ofertë të dytë prej 51.3 milionë paundësh, rreth 60 milionë euro, për mesfushorin spanjoll. Barcelona ka bërë tashmë një ofertë fillestare, në vlerën e më shumë se 45 milionë eurove, por ajo është refuzuar nga Manchester City. Kampionët e Anglisë kërkojnë rreth 70 milionë euro për të lejuar largimin e 30-vjeçarit.
Megjithatë, drejtuesit e Barcelonës besojnë se mund të arrihet një kompromis mes dy klubeve gjatë ditëve të ardhshme. Katalanasit janë të inkurajuar edhe nga qëndrimi i vetë Rodrit. Mesfushori i kombëtares spanjolle, i cili fitoi Botërorin 2026, ia ka bërë të qartë Manchester City-t dëshirën e tij për t’u transferuar te Barcelona. Ky pozicion i lojtarit mund të jetë një faktor i rëndësishëm në negociatat mes dy klubeve. Barcelona synon ta mbyllë sa më shpejt operacionin dhe oferta e re prej 51.3 milionë paundësh pritet të jetë hapi i radhës në përpjekjen për të afruar Rodrin në “Camp Nou”. Tashmë mbetet për t’u parë nëse Manchester City do ta pranojë propozimin e ri apo do të këmbëngulë në kërkesën prej 70 milionë eurosh. Në çdo rast, negociatat pritet të intensifikohen në ditët në vijim.

