Ishte një tjetër formalitet pas atij në fushën e Këlnit. Nga 4-0 në 4-1 nuk bën ndonjë diferencë të madhe, ndërsa Bajerni po vazhdon marshimin në Bundesligë, duke kaluar etapën në fushën e Hertës së Berlinit. Golat u shënuan nga Toliso, Tomas Myler, Sane dhe Gnabri. Bajerni pati epërsi të plotë, por për shumë minuta u ndalua nga portieri Shvolov që bëri pritje të mëdha ndaj Mylerit, Komanit dy herë, Sanesë dhe sidomos ndaj Levandovskit, e më pas edhe kundër Komanit për herë të tretë. Gjithsesi, as Shvolovi i shkëlqyer nuk mundi ta ndalonte “furtunën bavareze”. Xhoshua Kimih tregoi nivelin e tij me dy asiste, ndërsa një asist e dha Koman.
Natyrisht, Bajernin e ndihmoi fakti që trajneri Nagelsman mundi të bënte ndryshime në formacion duke hedhur titullarë Hernandezin, Sanenë dhe Komanin në vend të Zabicerit, Rokës e Musialës. Herta nuk po mundet të ngrejë kokë dhe 3 000 tifozë në “Stadiumin Olimpik” e vërshëllyen dhe lëshuan oshëtima zërash kundër ekipit të tyre. “Jam shumë i lumtur me mënyrën e lojës dhe me rezultatin, – tha Nagelsmani, – Ne luajtëm shumë mirë në pjesën e parë, ishim të shkathët, të shpejtë me presionin tonë duke ushtruar trysni ndaj tyre. Humbëm shumë raste, por nuk ka arsye për t’u ankuar”. Bajerni kryeson Bundesligën me 49 pikë, 6 pikë më shumë sesa Dortmundi i vendit të dytë.
Bajerni (3-4-2-1): Nojer, Pavar, Zyle, Hernandez, Kimih, Toliso, Gnabri, Tomas Myler, Sane, Koman, Levandovski.
Sfidanti.al