Larissa Ferrari akuzon sërish Dimitri Payet

Larissa Ferrari, avokate 28-vjeçare, ka përsëritur akuzat ndaj futbollistit francez Dimitri Payet, aktualisht te Vasco da Gama. Ajo e akuzon për abuzim fizik dhe psikologjik, ndërsa Payet, në dëshminë e tij para policisë, ka mohuar çdo abuzim duke deklaruar se gjithçka ndodhte me pëlqimin e saj dhe se sjelljet “e çuditshme” ishin propozime nga vetë Larissa. Në një intervistë për portalin Lance!, Larissa rrëfeu se marrëdhënia me Payet, deri në janar, kishte qenë intensive, por pa elemente dhune të hapur. Sipas saj, situata ndryshoi kur futbollisti u kthye nga pushimet në Francë:

“Ai filloi të fliste për ndëshkime dhe marrëdhëniet u bënë shumë më agresive. Vetëm atëherë fillova të kem shenja në trup, në krahë e këmbë,” – tha ajo. Payet ka pretenduar se Larissa i kërkonte vetë lojëra të dhunshme dhe dërgonte video intime, përfshirë akte me urinë. Larissa mohon këto akuza, duke sqaruar se videot ishin rezultat i presionit psikologjik nga ana e futbollistit, sidomos pas një skene xhelozie me lojtarin Paulinho të Palmeiras. Ajo theksoi gjithashtu se Payet ishte i vetëdijshëm për gjendjen e saj emocionale dhe e shfrytëzoi këtë për të ushtruar kontroll: “Gjithmonë ndihesha e detyruar, sepse kisha frikë ta humbja. Kjo lidhej me çrregullimin tim emocional. Edhe kur nuk doja të pija, ndihesha e shtyrë ta bëja vetëm për të mos e zhgënjyer atë.” Larissa tha se tentoi të ndërpriste marrëdhënien vetëm në mars dhe se nuk kishte bërë asnjë përpjekje për marrëveshje jashtëgjyqësore:

“Qëllimi im nuk është financiar. Dua drejtësi përmes rrugëve ligjore. Akoma nuk kam mundur të rifilloj jetën time normale dhe nuk kam shkuar më në ndonjë ndeshje të Vasco-s,” – përfundoi ajo.

 

sfidanti.al