Gazetari i “RTL”, Felix Gerner, ka folur për “Daily Mail” dhe ka konfirmuar deklaratat e vitit të kaluar të ish-bashkëshortes së Flavio Briatore, Elisabetta Gregoraci, lidhur me gjendjen shëndetësore të Michael Schumacher. Sipas Gerner, legjenda e F1, aktualisht, nuk është në gjendje të komunikojë verbalisht dhe kërkon kujdes të vazhdueshëm. Ai theksoi se vetëm një grup i kufizuar prej 20 personash mund t’i afrohen Michael-it, duke përmendur gjithashtu se familja Schumacher, po i ofron trajtim dhe kujdesin më të mirë të mundshëm. Gerner shprehu miratimin e tij për strategjinë e familjes, duke theksuar se ata kanë vepruar gjithmonë në interes të Michael-it dhe vazhdojnë ta mbrojnë atë.
Ky informacion është në përputhje me atë që kishte deklaruar më herët Gregoraci, e cila kishte thënë se Michael komunikon vetëm me sy dhe që vizitat janë të kufizuara në disa individë të ngushtë. Sipas saj, Michael është zhvendosur në Spanjë dhe gruaja e tij ka krijuar një spital privat në shtëpinë e tyre. Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme dhe trajtimeve të mundshme, përfshirë ato eksperimentale, gjendja shëndetësore e Michael Schumacher duket se nuk ka pësuar përmirësime të dukshme. Në të njëjtën kohë, familja e tij ka shitur disa prej aseteve të tij, për të mbuluar kostot e larta të kujdesit të përditshëm.
sfidanti.al