Cristiano Ronaldo vazhdon të forcojë imazhin e tij si futbollist dhe biznesmen. Kapiteni i Portugalisë ka inauguruar në Riad, kryeqytet i Arabisë Saudite, një klinikë të re për transplant kapilar, duke shtuar kështu një tjetër hallkë në perandorinë e tij të investimeve jashtë fushës së lojës. Kjo është klinika e 15-të e grupit “Insparya”, i themeluar në vitin 2019 nga Ronaldo dhe partneri i tij, biznesmeni Paulo Ramos.
Rrjeti tashmë është i pranishëm në Portugali, Spanjë, Itali dhe Oman, si dhe ka një qendër kërkimore në Porto, e cila merret me zhvillimin e teknologjive dhe metodave të reja në fushën e mjekësisë estetike.
Në ceremoninë e hapjes, Ronaldo ishte i shoqëruar nga Georgina Rodríguez, duke treguar edhe një herë se përveçse një ikonë e futbollit botëror, ai është gjithashtu një investitor që mendon për të ardhmen. Rrugëtimi i “Insparya” nisi në Madrid, në mars të vitit 2019, me hapjen e klinikës së parë, dhe prej atëherë grupi është rritur me synimin e qartë për t’u shndërruar në një referencë globale për trajtimet kapilare.
Me këtë hap të ri në Arabi Saudite, Ronaldo konsolidon pozicionin e tij si një figurë që kombinon sportin me biznesin, duke investuar në fusha të ndryshme si hoteleri, kozmetikë, tekstile dhe tashmë gjithnjë e më shumë në sektorin e shëndetësisë.
sfidanti.al