Pas 114 vitesh në futbollin profesionist, Brescia Calcio është larguar përfundimisht nga garat zyrtare. Lajmi është bërë i ditur nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC) përmes një njoftimi zyrtar të publikuar më 3 korrik 2025. Në komunikatën e saj, FIGC konfirmon se Brescia nuk ka marrë licencën kombëtare për sezonin 2025/2026 dhe për pasojë nuk do të pranohet në kampionatin e Serisë C. Arsyeja kryesore qëndron te detyrimet financiare të pashlyera dhe mungesa e plotësimit të kritereve të nevojshme për regjistrim, për të cilat përgjegjësi mbart pronari Massimo Cellino. Sipas njoftimit, deri më 27 maj, klubi nuk ka paguar taksën e regjistrimit për Serinë C dhe nuk ka depozituar shumën prej 350 mijë eurosh si garanci fillestare, çka e ka bërë të pamundur marrjen e licencës për të vazhduar pjesëmarrjen në kampionat. Ky lajm shënon një fund të hidhur për një klub me traditë të gjatë në futbollin italian, i cili për 114 vite ka qenë pjesë e garave të ndryshme profesionale. Zhdukja e Brescias nga futbolli profesionist është një ngjarje që trondit jo vetëm tifozët e klubit, por edhe gjithë botën e futbollit në Itali.
Sfidanti.al