Verdikti i Roberto Karlosit: Nejmar? Kutinjo është i madh!

Dikur në Shkodër, për Loro Boriçin thuhej “e len nana, s’e len nana”. Të paktën ky është versioni që jep Besnik Dizdari në librat e tij për kampionatet shqiptare, ndërsa tek Brazili sot thuhet “luan Nejmari apo nuk luan Nejmari”. Një nga personalitetet që nuk i shtohet këtij kori është një kampion bote i së kaluarës, Roberto Karlos.

Ish-mbrojtësi i shkëlqyer i krahut ka një mendim tjetër lidhur me peshën e yllit të Paris SG në skuadrën e sotme të trajnerit Tite. “Të gjithë flasin për Nejmarin, – u shpreh ai, – por, Kutinjo po provon se gjithashtu, edhe ai është një lojtar i madh për Brazilin. Kam shumë kënaqësi ta shoh kur luan, ai është i shkëlqyer me topin, por ai është edhe shumë i zgjuar, dhe i zgjedh mirë pozicionet”.

Kutinjo ishte autori i golit të vetëm të Brazilit ndaj Zvicrës (1-1), dhe po ashtu shënoi golin e parë, tepër të rëndësishëm, në fitoren 2-0 ndaj Kosta Rikës, gol që erdhi në minutën e parë shtesë.

Sfidanti.al