Tebas kundër Botërorit të Klubeve: Do padisim FIFA-n

Javer Tebas hidhet në sulm. I intervistuar nga “The Guardian”, presidenti i La Ligës spanjolle foli për Superligën, FIFA-n dhe Kupën e Botës për Klube, madje duke njoftuar synimin e tij për të ndërmarrë veprime ligjore kundër organit më të lartë të futbollit.

“Formati me 32 skuadra duhet të ndalet dhe është prioriteti im ta bëj këtë. Lojtarët kanë për zemër mirëqenien e tyre dhe ky lloj kompeticioni sjell vetëm para për një sërë klubesh dhe ngjesh kalendarin”, tha ai, duke iu referuar Botërorit për klube.

Sulmi ndaj Superligës dhe Florentino Perezit –  Sulmi i numrit 1 të La Ligës i drejtohet së pari Superligës. Në fund të fundit, është mbi të gjitha në këtë pikë që ai përplaset me Florentino Perez (presidentin e Realit të Madridit), të cilin ta përcaktosh si armik të tij është ndoshta shumë, por sigurisht që është dikush me të cilin nuk shkon shumë mirë. “Superliga ka shumë pak shanse për t’u pranuar nga klubet: asnjë klub nuk do ta pranojë” tha Tebas. Dhe për presidentin e Real Madridit ai shtoi: “Objektivi i tij është që klubet e mëdha, ato më të pasurat dhe me burimet më të mëdha, të mund të menaxhojnë futbollin në Evropë. Dhe se të tjerët janë vetëm vasalë, të cilët duhet të jenë të kënaqur me çdo gjë që u jepet. Dallimet thelbësore që kam me Florentinon janë dy modele krejtësisht të kundërta të futbollit profesionist, si në nivel kombëtar ashtu edhe në Evropë. Nuk ka asnjë kompromis mes tyre, janë bardh e zi dhe nuk ka zonë gri”.

Aksioni ligjor kundër FIFA-s – Duke folur për Botërorin e Klubeve, Tebas thotë se është gati për veprime ligjore, të cilat ai i përcakton si “prioritetin” e tij, kundër FIFA-s. “Shikoni vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Ai iu referua Superligës, por është plotësisht i zbatueshëm për vendimet e marra nga FIFA ku procesi nuk është i saktë: ku ajo që miraton është e dëmshme për ekosistemin e futbollit. Kjo është gjithçka që mundem të bëj. Të paktën do të përpiqem. Dhe jo vetëm ne, gjithsesi. Lojtarët kanë në zemër mirëqenien e tyre dhe ky tip kompeticioni vetëm sa u sjell para një numri klubesh dhe ngjesh kalendarin”, shpjegoi ai.

La Liga dhe padia e paraqitur tashmë – Në këtë pikë Tebas nuk ka ndërmend të tërhiqet, siç e dëshmojnë jo vetëm fjalët e tij, por mbi të gjitha veprimet konkrete të La Ligës, e cila në dhjetor kishte paralajmëruar se do të “studonte ligjin përkatës për veprimet për të parandaluar Kupën e Botës për Klube, që të zhvillohet në formatin e shpallur”. Dhe rreth një javë më parë, sipas asaj që raportoi gazeta As, është bërë padia në gjykatë. Gazeta sportive shkroi për një “konflikt që lindi në mes të dhjetorit, kur Infantino njoftoi se do të revolucionarizonte Kupën e Botës për klube nga viti 2025 për të çuar në 32 numrin e  ekipeve pjesëmarrëse. Për më tepër, ai propozoi përfshirjen e më shumë ndeshjeve në Kupën e Botës 2026. Dy skenarë që nuk u pëlqyen kampionateve kombëtare, veçanërisht atij spanjoll, sepse do të thotë të ngjeshësh kalendarin akoma edhe me më shumë ndeshje”.

sfidanti.al