Szczesny: Dua të fitoj trofe të mëdhenj

Në prag të ndeshjes së kthimit mes Borussia Dortmundit dhe Barcelonës, që do të luhet nesër mbrëma në “Westfalenstadion”, portieri i katalanasve, Wojciech Szczesny, foli në konferencë për shtypin krah trajnerit Hansi Flick. Ish-portieri i Juventusit tregoi si vendosi të bashkohej me Barcelonën: “Po luaja golf me djalin tim kur më erdhi telefonata. Kisha marrë disa kontakte më herët, por kjo ishte ndryshe – tani jam pjesë e një prej skuadrave më të mira në Evropë. Erdha për të zëvendësuar Ter Stegen, por dua të luaj në këtë kompeticion dhe, çfarëdo që të ndodhë, do ta respektoj vendimin. Nëse Flick vendos të luajë ai, e kuptoj. Kam një marrëdhënie të mirë me të.”

Szczesny më pas shtoi: “Ter Stegen për momentin është i fokusuar vetëm te rikthimi në stërvitje. Kur të jetë gati, vendimi do t’i takojë trajnerit. Nuk ka tension, as ndonjë situatë të sikletshme mes nesh. Ne duam më të mirën për ekipin.” I pyetur për bashkëkombësin e tij, Robert Lewandowski, ai zbuloi: “Telefonata e parë që mora ishte nga ai. Më ndihmoi shumë në javët e para për t’u përshtatur te Barça. Ishte një tranzicion i vështirë, sidomos për mendësinë time, pasi kisha lënë futbollin për pak kohë. Tani dua të fitoj trofe të mëdhenj. Po i afrohem gjithnjë e më shumë fitimit të kësaj gare dhe do ta shfrytëzoj këtë mundësi për të dhënë gjithçka në këto javë të fundit të sezonit, për ekipin dhe për klubin.”  Sa i përket së ardhmes, Szczesny ishte i qartë: “Kontrata më përfundon në fund të sezonit, por nuk mendoj shumë për këtë. Jam i përqendruar te ndeshjet dhe nuk dua të harxhoj energji për negociata apo gjëra të ngjashme. Gjithçka që kam në mendje tani është ndeshja e nesërme  dhe të jap maksimumin.”

sfidanti.al