Sulmuesi i jep lamtumirën futbollit

Erik Lamela ka vendosur ta mbyllë me futbollin e luajtur. Vendimi i papritur i sulmuesit argjentinas i ka lënë të gjithë të shtangur, duke llogaritur se ai kishte ende një kontratë të vlefshme me AEK të Athinës dhe në moshën 33-vjeçare, mund të jepte përsëri kontributin e tij në fushën e lojës. Lamela ka vendosur që të mbyllë kontratën me AEK-un dhe ka gjetur akordin shpejt me skuadrën ku aktivizohet Thomas Strakosha. Ai u ka dhënë lamtumirën grekëve dhe duket se e ka bërë një gjë të tillë në mënyrë që t’i bashkohet stafit të Matias Almejdas, i cili ka marrë drejtimin e Seviljes në Spanjë. Lamela njeh mirë klubin me të cilin ka luajtur dhe ka fituar Ligën e Europës, ndaj eksperienca e tij do të ndihmoj Almejdan në këtë aventurë të rëndësishme. Kështu mbyllet kapitulli i karrierës së një prej futbollistëve më premtues argjentinas, por që nuk justifikoi plotësisht potencialin dhe pritshmërinë që kishte ndaj tij. Lojtari i dalë nga radhët e River Plejt, u bë protagonist për disa vite me Romën dhe Totenhemin, por dëmtimet e vazhdueshme shkatërruan karrierën e atij që dikur cilësohej si një nga talentet më premtues të Argjentinës, me të cilën luajti vetëm 25 ndeshje duke shënuar 3 gola.

sfidanti.al