Stiven Shpendi gjeti golin e parë të këtij sezoni në Itali, kundër Palermos në minutën e 77-të, që pati vlerë fitoren me rezultatin 1-0 për Karrarezen në javën e 16-të të Seria B. Pas përfundimit të sfidës ai foli për mediat italiane. “Kemi luajtur një ndeshje të shkëlqyer kundër një ekipi plot me lojtarë cilësorë. Që në minutën e parë treguam dëshirë të madhe për të kompensuar humbjen në Salerno. Unë jam i lumtur për golin, por mbi të gjitha për fitoren dhe për paraqitjen që dëshmon edhe një herë se sa fort punon çdo ditë ky grup. Për sa i përket performancës personale, jam i kënaqur me besimin që trajneri më ka dhënë, pavarësisht se po kthehesha nga një moment i vështirë, për shkak të dhimbjes në ije dhe mungesës së ndjesisë. Tani shpresoj që të vazhdoj të shënoj gola. Unë isha veçanërisht i etur për të festuar golin tim. Tifozët vazhdimisht më tregojnë dashuri të madhe, por ky gol i dedikohet familjes sime, në veçanti babait tim që nuk mundi të ishte i pranishëm në stadium. Nëse sot kam mundësinë të luaj në këto nivele, kjo është edhe falë mbështetjes që nuk ka dështuar asnjëherë nga familja ime”, përfundoi Shpendi.
sfidanti.al