Çështje menaxhimi, çështje pasaporte, por edhe çështje e mënyrës së rritjes. Në Tuiter dhe në rrjetet e tjera sociale ka nga ata që habiten sesi dy lojtarë të ngjashëm të Bundesligës së Austrisë të kenë diferencë kaq të madhe në karton. Karim Adejemi ka karton që vlen 30 milionë euro (kaq ishte shifra e transferimit tek Dortmundi), madje sipas “transfermarktit” arrihet deri në 35 milionë. Xhakomo Vrioni, që doli më mirë sesa Adejemi këtë sezon në elitën austriake, ka një karton që shkon nga 4 deri në 5 milionë euro. Si shpjegohet kjo diferencë kolosale?
Me gjasë, sepse Adejemi është me pasaportë gjermane, ka luajtur për ekipet e moshave të Gjermanisë dhe tani është pjesë e kombëtares së trajnerit Hansi Flik. Ai është vetëm 20 vjeç dhe jo më kot e mori Dortmundi. Vrioni vërtet e ka kartonin tek Juventusi dhe kjo nuk është pak, por nuk është cilësuar ndonjëherë si alternativë tepër e rëndësishme për piemontezët. Po ashtu, ai është pjesë e kombëtares së Shqipërisë, pesha e së cilës as që mund të krahasohet me atë të Gjermanisë.
Sfidanti.al