Shtohen pretendentët për Zirkzee

Me 10 gola dhe tre asiste në kampionat, Joshua Zirkzee është padyshim sulmuesi që po udhëheq Bolognën drejt një vendi në zonën Champions të renditjes, me emilianët që aktualisht renditen të katërtët. Holandezi 22-vjeçar ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve në Itali dhe jo vetëm, teksa krahas Milanit e Juventusit, në garë për shërbimet e tij së fundi është përfshirë edhe Interi. Zikaltrit e kanë pasur tre herë kundërshtar këtë sezon dhe kanë kuptuar se Zirkzee mund t’u shtojë shumë si në aspektin fizik, ashtu edhe atë teknik, ndaj kanë nisur kontaktet e para me agjentët e futbollistit. Prania e tre holandezëve të tjerë si Dumfries, De Vrij dhe Klaassen, mund të jenë një shtysë më shumë për Zirkzeen që të zgjedhë Milanon zikaltër, teksa vlen të theksohet se Bologna synon të arkëtojë të paktën 35 milionë euro nga kartoni i holandezit. E ndërkohë që në Itali shtohen pretendentët, në Gjermani raportohet se Bayerni i Mynihut ka hequr dorë përfundimisht nga e drejta e parablerjes, pasi nuk dëshiron ta rikthejë më futbollistin në Mynih, aty ku u rrit si futbollist.

sfidanti.al