Kombëtarja shqiptare e vajzave U-17 luajti mesditën e sotme sfidën e dytë dhe të fundit ndaj Izraelit, e vlefshme për raundin e dytë të ndeshjeve të Kampionatit Europian për këtë grupmoshë. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Air Albania”, vajzat kuqezi u mundën me rezultatin 3-1, teksa golin e vetëm për Shqipërinë e realizoi Klesta Ago. Trajneri i ekipit kombëtar U-17, Agustin Kola hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Amelia Mone (GK), Angela Nika, Klevisa Ndoci, Natali Gjergji, Bora Bushati, Klesta Ago (c), Tiana Gjonaj, Xhesika Ndoj, Leoselda Stalaj, Isabella Kuci, Stela Vata.
Vajzat kuqezi kaluan të parat në epërsi falë golit të shënuar nga Klesta Ago, e cila realizoi nga goditja e dënimit, duke e dërguar topin drejt e në portë në minutën e 11-të të takimit. Por izraelitet u kundërpërgjigjën shpejt, duke barazuar fillimisht takimin në minutën e 23-të e më pas duke realizuar edhe dy gola të tjerë në minutat 34-t dhe 37-të. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 3-1 në favor të Izraelit. Nuk ndryshon rezultati në fraksionin e dytë, me Shqipërinë që mundet kështu me shifrat 3-1 nga Izraeli në stadiumin “Air Albania”. Kombëtarja shqiptare do të luajë në Ligën B edhe në kualifikueset e ardhshme të Kampionatit Europian për vajza U-17. Ndeshjet e grupit B6 u zhvilluan në vendin tonë në datat 20-26 shkurt, nën organizimin dhe mbikëqyrjen e Federatës Shqiptare të Futbollit. Më poshtë rezultatet e ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Europian U-17 për vajza në grupin B6:
Datë 20.02.2024
Shqipëri-Irlandë 1-7
Datë 23.02.2024
Irlandë-Izrael 3-0
Datë 26.02.2024
Izrael- Shqipëri 3-1
sfidanti.al