Sané drejt rinovimit me Bayern-in, refuzon ofertën milionere nga Arabia

Rinovimi i kontratës së Leroy Sané me Bayern-in e Mynihut ende nuk është zyrtarizuar, siç e konfirmoi edhe drejtori sportiv Max Eberl, pas fitores 3-0 ndaj Mainz-it, të shtunën. Megjithatë, sipas asaj që raporton “Sky Sports DE”, marrëveshja është shumë pranë: në një ose dy javët e ardhshme, pritet që Bayerni dhe Sané të finalizojnë bisedimet dhe të nënshkruajnë kontratën e re deri në vitin 2028. Mbetet vetëm të zgjidhen disa detaje rreth strukturës së kontratës, por tashmë nuk ka më dyshime mbi të ardhmen e tij në “Allianz Arena”.

Angazhimi reciprok mes Sané dhe Bayern-it është shumë i fortë. Klubi dëshiron ta mbajë ‘yllin’ gjerman dhe edhe trajneri i ri Vincent Kompany ka ushtruar presion të brendshëm për ta bindur lojtarin të qëndrojë. Vetë Sané, në disa deklarata publike, ka nënvizuar dëshirën e tij për të vazhduar aventurën në Mynih.

Një “jo” që bën bujë

Së fundmi, Sané ka refuzuar një ofertë marramendëse nga Arabia Saudite. Al-Ittihad, ku luan edhe Karim Benzema, i kishte ofruar një kontratë katërvjeçare me vlerë 100 milionë euro neto – 25 milionë euro në sezon. Pavarësisht kësaj shume joshëse, Sané ka zgjedhur të qëndrojë te Bayerni, duke besuar se ende nuk e ka mbyllur ciklin e tij në këtë klub dhe duke pasur si synim madhor fitimin e Champions League.

Detajet e rinovimit

Në kontratën e re, Sané do të pranojë një ulje të ndjeshme të pagës. Nga rreth 20 milionë euro bruto në vit që merr aktualisht, ai do të zbresë në rreth 10 milionë euro neto për sezon, me mundësi që, falë bonuseve, të arrijë deri në 14-16 milionë euro. Edhe pse më pak se çfarë do të fitonte në Arabinë Saudite, për Sané përparësi mbetet suksesi sportiv me Bayern-in.

sfidanti.al