Roko Vata në gjurmët e babait, 17-vjeçari debuton për ekipin e parë të Sëlltikut!

Babai i tij ka ishte një emër i madh. Rudi Vata vazhdon të mbahet mend tek Sëlltiku si një nga yjet e viteve 90-të, dhe askush nuk e ka harruar, por shpresohet që në gjurmët e tij të vazhdojë i biri. Shumë vite pasi ish-qendërmbrojtësi shkëlqente me fanelën e “tërfilave”, pasardhësi me emrin Roko Vata bëri debutimin në ekipin e parë të Sëlltikut. Sulmuesi 17-vjeçar u aktivizua në minutën e 84-ët në fitoren 4-0 në fushën e Hibernianin, në ndeshjen e vlefshme për Premier Ligën e Skocisë. Natyrisht, ai nuk mundi të linte ndonjë gjurmë të jashtëzakonshme në aq pak minuta, por ishte një sukses i madh që bindi trajnerin e tij Postekoglu që t’i jepte një mundësi.

Rokoja ka shkëlqyer me ekipin e të rinjve të Sëlltikut duke shënuar mjaft gola, dhe cilësohet si një nga talentet e mëdhenj për të ardhmen. Në korrik 2021, djali i ish-kapitenit të kombëtares shqiptare firmosi kontratën e parë profesioniste në karrierë, ndërsa sipas mediave klube të rëndësishëm si Milani, Juventusi, Roma, Arsenali dhe Mançester Junajtidi kanë shprehur interesim për të. Për momentin, Rokoja po luan për kombëtaret e të rinjve të Irlandës, por ka mundësi të zgjedhë edhe Shqipërinë. Pas 4 ditësh luhet derbi i madh skocez në fushën e Rejnxhërsit dhe 17-vjeçari shpreson të ketë sërish një shans.

Sfidanti.al