Pavarësisht tensioneve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, futbolli është gati të rifillojë në Katar. Kampionati elitar i vendit, Qatar Stars League, do të rikthehet nesër me zhvillimin e javës së 18-të, e cila ishte planifikuar fillimisht për javën e kaluar, por u shty për shkak të situatës së pasigurt në rajon.
Liga e futbollit në Katar ka vendosur një protokoll të posaçëm sigurie për të mbrojtur të gjithë personat e përfshirë në ndeshje, nga lojtarët dhe stafet teknike deri te drejtuesit e klubeve. Presidenti i ligës, Hani Ballan, theksoi rëndësinë e këtyre masave në një periudhë të vështirë për vendin. “Këto janë kohë të vështira dhe të paprecedenta për vendin tonë. Megjithatë, jemi mirënjohës që jetojmë në një nga vendet më të sigurta në botë, me sisteme të forta për të na mbrojtur në situata të tilla”, deklaroi ai.
Megjithatë, mbeten ende pikëpyetje nëse rifillimi i kampionatit do të mjaftojë për të garantuar zhvillimin e ndeshjes së shumëpritur të quajtur “Finalissima”. Në këtë përballje do të takohen Argjentina, fituese e Copa América 2024, dhe Spanja, kampione e UEFA Euro 2024.
sfidanti.al

