Revolucion te Egnatia!

Egnatia po hyn në një nga momentet më delikate të sezonit. Merkatoja e janarit pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme në Rrogozhinë, teksa drejtuesit e klubit janë duke vlerësuar me kujdes çdo ofertë që mund të mbërrijë për lojtarët kryesorë të skuadrës. Në prapaskenë flitet për një “mini-revolucion”, i cili, nëse konkretizohet, do të ndryshojë ndjeshëm fytyrën e ekipit për pjesën e dytë të kampionatit. Strategjia e klubit duket e qartë: nëse tregu ofron shifra të kënaqshme, Egnatia është e gatshme të sakrifikojë elementë të rëndësishëm, duke synuar njëkohësisht përfitim financiar dhe riorganizim të organikës.

Në krye të listës së lojtarëve më të kërkuar është portieri Mario Dajsinani. Gardiani i Egnatias ka qenë një pikë reference për ekipin dhe paraqitjet e tij konstante nuk kanë kaluar pa u vënë re. Sipas informacioneve të qarkulluara, Metalist 1925 nga Ukraina ka shfaqur interes konkret për shërbimet e tij. Edhe pse ende nuk flitet për një marrëveshje të mbyllur, kontakti mes palëve ekziston dhe situata po monitorohet nga afër. Nëse oferta financiare do të jetë në linjë me pritshmëritë e klubit, largimi i Dajsinanit shihet si një opsion real, që do të sillte të ardhura të rëndësishme në arkat e Egnatias.

sfidanti.al