Partizani rikthehet te fitorja, Vora surprizon Elbasanin

Është mbyllur java e 7-të e “Abissnet Superiore” me dy sfidat e luajtura të dielën, me Partizanin që fiton në Vlorë, ndërsa Vora surprizon Elbasanin në “Elbasan Arena”.

Në stadiumin “Flamurtari”, gjithçka u vendos nga një autogol i Lorenc Trashit, ish-kapiteni i të kuqve, tani në radhët e skuadrës vlonjate, i cili në minutën e 62-të në tentativë për të larguar një top në zonë e dërgoi atë në rrjetë. Në këtë sfidë protagonist ishe edhe VAR, që anuloi dy gola për vlonjatë dhe një 11-metërsh për të kuqtë. Partizani gjen fitoren e dytë në këtë sezon, ashtu si në javën e parë përballë Vorës, me një autogol.

Në “Elbasan  Arena”, Vora bën përmbysjen e madhe përballë Elbasanit duke fituar me rezultatin 2-1. Në një ndeshje të luftuar dhe pa gola në pjesën e parë, verdhezinjtë arritën të zhbllokojnë sfidën me anë të Qoses në minutën e 54-ët, por vorakët arritën ë përmbysin gjithçka me golat e Dakës 64-ët dhe Karricës 86-të duke marrë tri pikë shumë të vlefshme në një transfertë të vështirë.


sfidanti.al