E ka më të lehtë të lëshojë një silurë, se sa të merret me mikrofonin. Alsid Tafili i Vllaznise është njeri që flet më bukur me vepra: “Është një gol që mua si futbollist më jep entuziazëm, por mbi të gjitha ishte i rëndësishëm për skuadrën. Duam kualifikimin, pasi nëpërmjet Kupës mund të arrijmë në Kupat e Europës. Shpresoj që goli im të jetë i rëndësishëm për ndeshjen e kthimit, ku do të kërkojmë kualifikimin.
Ndeshjen e parë e kishim përgatitur mirë, së pari për të mos pësuar gol në shtëpinë tonë. Por edhe në ndeshjen e kthimit kundërshtarët do ta kenë të vështirë, pasi me rezultatin 1-0 edhe ata do të synojnë të mos pësojnë. Normalisht do të jetë një ndeshje e hapur, por ne kemi pak më shumë garanci për kualifikimin.
Për momentin jemi në mesin e tabelës, çka ka qenë dhe objektivi ynë në fillim të kampionatit. Duke u nisur edhe nga përforcimet e janarit, duam të ecim sa më larg edhe në Kupë. Me grupin e mirë që kemi dhe me Bakajn, që do të na ndihmojë shumë, pse të mos arrijmë diçka edhe në Kupë?”.