Një pasim mjeshtëror për Douvikas, që solli golin e avantazhit, dhe më pas një goditje e lirë perfekte për dyfishimin e rezultatit. Nata e debutimit fitues të Como-s në kampionat kundër Lazios ishte edhe nata magjike e Nico Paz. Talenti argjentinas dhuroi spektakël dhe në fund të ndeshjes hodhi poshtë thashethemet për një largim:
“Thashethemet nuk i dëgjoj, jam i fokusuar të jap më të mirën për Como-n.”
Sipas Fabrizio Romano-s, Como ka ngritur sërish murin kundër një oferte të re të Tottenhamit, duke refuzuar 70 milionë euro. Disa javë më parë ‘Spurs’ kishin ofruar 40 milionë, një shumë që u konsiderua e pamjaftueshme. Edhe për pothuajse dyfishin e shumës, Como nuk pranoi, pasi Real Madrid ka të drejtën e 50% të një shitjeje të ardhshme, që do të thotë se Como do të merrte “vetëm” 35 milionë.
Situata kontraktuale bën që Como, me dëshirë apo pa dëshirë, një ditë të detyrohet të shesë Nico Paz. Pse? Sepse Real Madridi ka një klauzolë rikthimi, zakonisht e vlefshme në fillim të çdo sezone merkatoje: 9 milionë në 2026 dhe 10 milionë në 2027.
Nëse Como nuk dëshiron ta humbë lojtarin e valorizuar mirë, duhet të pranojë një ofertë deri më 1 shtator, ose ta shesë në janar, ose të veprojë përpara se klauzola e rikthimit të Realit të hyjë në fuqi në sezonin tjetër. Pas skadimit të klauzolës 2026, mund të konsiderohet një shitje ekonomike e favorshme në gusht 2026, janar 2027 ose përpara korrikut 2027, kur hyn në fuqi klauzola e fundit.
Ky skenar vlen përveçse nëse, në javët në vijim, nuk rinegociohet marrëveshja me ‘Los Blancos’. Në fakt, ka pasur kontakte në këtë drejtim. Como do të ishte e gatshëm të linte 50% të të ardhurave nga një shitje e ardhshme për Realin, por dëshiron që klauzola e rikthimit të eliminohet.
Duke pasur marrëdhënie të mira me klubin spanjoll, nuk përjashtohet mundësia që Reali të kërkojë nga Como ta mbajë Paz-in edhe një ose dy sezone, duke u rezistuar tundimit për ta shitur, dhe më pas ta blinte përsëri, sigurisht me një shumë shumë më të lartë sesa ajo që lejon klauzola aktuale.