Nga Ndoji në Itali te Elezi në Kroaci, shqiptarët shënojnë në Europë!

Armando Broja nuk ishte i vetmi lojtar shqiptar që u dallua në Europë. Përtej sulmuesit kuqezi që fitoi penallti në Premier Ligë për Çelsin, në fushë zbritën edhe lojtarë të tjerë. Në Ligën e Dytë të Spanjës, Myrto Uzuni doli fitues me Granadën ndaj Saragozës, ndonëse nuk arriti të shënonte. Rrjetën e vetëm të ndeshjes e shënoi Migel Angel në nisje të pjesës së dytë, por sulmuesi kuqezi ishte aktiv për rreth 70 minuta që ishte në fushë. Uzuni mbetet më i miri shënues i kampionatit me 8 rrjeta. Po në ligën e dytë spanjolle, pritet prova e Armando Sadikut sot në mbrëmje për Kartagjenën në fushën e Las Palmasit, me sulmuesin shqiptar që ka 5 gola deri tani, duke qenë i treti në renditjen e shënuesve.

Në Ligën e Parë të Spanjës, mbrojtësi i kombëtares, Ivan Balliu, ishte i pafat në sfidën e ekipit të tij, Rajo Vajekano, ndaj Kadisit. Vajekano fitoi me meritë 5-1 dhe Balliu ishte i dalluar, por shkaktoi autogol jo për faj të tij, pasi topi iu përplas ndërsa ai nuk mund ta shmangte. Në elitën spanjolle pati lavdi për sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi, që shënoi me penallti në fitoren 2-1 të Majorkës në fushën e Valencias. Muriqi ka 5 gola deri tani në La Ligë, duke qenë vetëm 2 rrjeta pas vendit të dytë në renditjen për Këpucën e Artë.

Në Itali ishte dita e Emanuele Ndojit. Mesfushori shqiptar realizoi në Serinë B për Breshën, në ndeshjen në shtëpi ndaj Venecias. Përballja përfundoi 1-1 dhe Ndoji u zëvendësua pranë fundit, ndërsa ka 2 gola në Serinë B. Duke kaluar në Kroaci, ish-futbollisti i Skënderbeut, Agon Elezi, gjeti rrugën e rrjetës në Ligën e Parë. Mesfushori 21-vjeçar, që është përzgjedhur në përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, shënoi golin e dytë në fitoren 4-1 të ekipit të tij, Varazhdinit, ndaj Osijekut.

Sfidanti.al