Ndihmësi i Arne Slot merr drejtimin e Ajax-it

Ka emra që janë të lidhur ngushtë me ADN-në e një klubi. John Heitinga është njëri prej tyre. Pas viteve të kaluara në hije të mëdhenjve të Premier Ligës, ai rikthehet aty ku nisi gjithçka: në “Johan Cruyff Arena”, tashmë jo si mbrojtës, por si drejtues i stolit. Në moshën 41-vjeçare, ish-reprezentuesi i Holandës merr frenat e Ajaksit, duke pasuar Francesco Fariolin, i cili u largua pas një përplasjeje të papritur në fundin e sezonit. Klubi amsterdamas, i lëkundur dhe i paqëndrueshëm, ka besuar tek një emër që njeh mirë korridoret, filozofinë dhe pritshmëritë e tij. Me një kontratë dyvjeçare dhe me Marsel Kaizer si ndihmës (një tjetër njohës i ambientit), Heitinga sjell me vete përvojën që ka përthithur në elitën angleze. Ai ka qenë pjesë e stafit të Arne Slot te Liverpuli, ku fitoi titullin e Premier Ligës dhe më parë ka punuar edhe nën drejtimin e David Moyes. “Ndiej një emocion të veçantë që rikthehem këtu në një rol kaq të rëndësishëm. Anglia ishte një shkollë për mua, por Ajaksi është shtëpia ime. Kam mësuar shumë dhe tani ndihem gati të udhëheq këtë projekt,” tha ai në prezantimin zyrtar. Një kthim që ngjall shpresë. Një trajner i ri, me rrënjë të vjetra. Dhe një Ajax që kërkon të rikthehet aty ku i takon, në majë.

sfidanti.al