FSHF ka vendosur që “mbrëmjen e mbrëmjeve” ta organizojë në të njëjtën ditë me shortin e Champions League dhe ndoshta nuk është edhe aq rastësi sepse në selinë e artë të lojës besojnë verbërisht se janë ata kampionët e vërtetë të vitit që po mbyllet. Në 18 dhjetor ora 18:00 do të nisë ceremonia e më të mirëve të futbollit shqiptar, ku sipas programit, sigurisht që arritja e Kombëtares do të jetë lokomotivë dhe nuk ka si të jetë ndryshe.
Sylvinho, pasi është nderuar me të gjitha ritet e mundshme në muajin e fundit, sigurisht që do të jetë ylli më i shndritshëm pasi në shtëpinë e futbollit kanë nevojë që ai të ndriçojë edhe në skutat më të pabanuara të futbollit shqiptar. Të tilla janë problematikat në të gjitha kategoritë, duke nisur që nga dhuna e për të vazhduar me formulën e dyshimtë, polemikat, stadiumet e boshatisur dhe ngjarja tragjike e “Duamena”-s. Thonë që do të nderojnë më të mirët dhe brenda logjikës tonë lokale, gjithçka është korrekte sepse të mirë në këtë kaosin tonë duhet të ketë por ajo që nuk do të thuhet është problematika e klubeve të falimentuar dhe të dënuar me pezullime merkatoje apo edhe mungesa totale e lojtarëve të Superiores në Kombëtare…
Nga Pirro Bardhyli